e mërkurë, 14 nëntor 2012

VIZITA E EDI RAMËS NË KOSOVË, SI PARATHËNIE E RIBASHKIMIT TË SË MAJTËS ME TRASHËGIMI ENVERISTE




Rexhep Kastrati

Vizita e Edi Ramës në Kosovë nuk solli vetëm një ekzpozitë flamujsh që mund ta bënte çdo OJQ e secilës pjesë të territoreve shqiptare, por solli sërish në vëmendjen e shqiptarëve synimin për ribashkimin e e asaj së majte politike shqiptare që ka dalë nga trashëgimia e mësimeve marksist-leniniste të shokut Enver, ashtu siç kishte ndodhur edhe  gjatë anarkisë së vitit 1997 në shtetin akutal shqiptar, gjatë masakrave serbe të viteve 1998-1999 e në vazhdim deri në rikthimin e Sali Berishës në pushtet, e që solli edhe vardisjen e suksesshme të së majtës shqiptare të Prishtinës ndaj kryeministrit shqiptar dhe ndaj PD-së si parti politike. Siç dihet tashmë, AAK, vardisjen e saj ndaj Sali Berishës dhe ndaj PD-së e kishte konkretizuar me një marrëveshje bashkëpunimi partiak, e cila i duhej kësaj partie për interesa të saj të brendshme politike, përkatësisht për ta paraqitur atë si parti të djathtë politike. Paraqitja si parti e djathtë, AAK-së i duhej për të tërhequr pjesën e lëkundur të LDK-së, e cila pas vdekjes së presidentit Rugova, ishte thelluar shumë edhe për shkak të zhvillimeve spastruese të saj nga rugovizmi. Në anën tjetër, Hashim Thaçi, përkatësisht PDK, edhe pse nuk kishte ndonjë marrëveshje ndërpartiake me PD-në, përkatësisht me Sali Berishën, kishte shfrytëzuar pozicionet institucionale që përfitoi Hashim Thaçi pas zgjedhjeve të vitit 2007, kohë kur u bë kryeministër i Kosovës. Që atëherë kemi parë një afrim të Hashim Thaçit me Sali Berishën, e që vihej në dukje në çdo moment sadopak të rëndësishëm, siç ishte ai i hapjes së autostradës Durrës – Morinë, apo edhe fillimi i punimeve në pjesën e autostradës në Kosovë. Po ashtu, edhe vizitat e Sali Berishës në Kosovë, e të Hashim Thaçit në Tiranë, por edhe të personaliteteve të tjera të të dy krahëve në kryeqytetet përkatëse. Edhe pse këto vizita, në një rast tjetër, do të duhej të ishin mëse normale dhe në funksion të afrimit të pjesëve të ndryshme të kombit shqiptar, në rastin konkret, këto vizita u shpërfaqën shumë si afërsi e dy personaliteteve dhe e dy partive, që u përdorën keq në Kosovë. Se mbrapa vizitave ndërshtetërore, fshihej hileja e Hashim Thaçit dhe e PDK-së për të dobësuar lidhjen ideologjike dhe politike LDK – PDSH, që u krijua qysh gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, e rrjedhimisht edhe për të vënë në pozitë inferiore këtë forcë politike të drejtuar nga presidenti Rugova, u pa kur përfaëqsues të partisë së Hashim Thaçit deklaruan se e vetmja parti e djathtë në Kosovë është PDK-ja. Pra, shihet ashiqare se afrimi i Hashim Thaçit me Sali Berishën, në Prishtinë nuk kuptohej thjesht si një afrim institucional, kushtetues e ndërshtetëror, por si riprofilizim i PDK-së, pra si përpjekje për të afruar këtë parti me PD-në e Sali Berishës. Në këtë kuptim, duket qartë se si AAK, ashtu edhe PDK si dy forca politike që dolën nga trashëgimia marksist-leniniste e shokut Enver Hoxha, për hir të hesapeve të brendshme poltike, dhe për shkak të imazhit pozitiv që ka Sali Berisha në Kosovë, përkatësisht për shkak të imazhit të keq që ka Edi Rama dhe PS në Kosovë, për shkak të rolit shumë të keq që PS ka luajtur në Kosovë dhe të vetë Edi Ramës në proceset e gjithëmbarshme, sidomos ato që lidhen me proceset integruese evropiane, kanë synuar afrimin me Sali Berishën, i cili në Kosovë ka mbështetjen më të madhe politike.
Edhe pse këto përllogaritje politike dhe taktike të PDK-së dhe AAK-së ishin majft të suksesshme, pasi që AAK arriti që të merrte shumë pjesëtarë të linjës institucionaliste të presidentit Rugova, bile edhe të birin e tij në një koalicion zgjedhor, kurse PDK arriti që të dobësonte tepër shumë LDK-në, duhet thënë se me kohë, doli sheshit e vërteta e tyre si parti të majta dhe pjesë e tërë spektrit politik të majtë shqiptar me trashëgimi marksist-leniniste të shokut Enver Hoxha. Dhe shenjat e para të kësaj të vërtete të madhe, dolën kur AAK iu vardis PDK, gati në përgjërim për të krijuar vend edhe për të në qeverisje. Dhe ky përgjërim politik i AAK-së vazhdoi edhe kur nga PDK, përkatësisht nga Hashim Thaçi mori vetëm përbuzjen, nënçmimin dhe mospërfilljen. AAK, tashmë me tërë forcën, i kishte shkelmuar qëndimet e saj të mëhershme politike se nuk do të ketë bashkëqeverisje me PDK-në me Hashim Thaçin kryeministër; kritikave të saj shumë të ashpra për negociatat me Beogradin, bile më të ashpra se të shumë forcave tjera poltiike në Kosovë, e që tashmë miraton çdo qëndrim të Hashim Thaçit për këto negociata etj. AAK, tashmë ashiqare ka dëshmuar se ia ka qejfi të jetë në qeverisje, qoftë edhe nën sqetullat kutërbuese të Hashim Thaçit, e që kutërbojnë korrupsion, kriminalitet e cenim interesash kombëtare. Për AAK-në, nuk ka asgjë më shumë rëndësi sesa të jetë në pushtet, qoftë edhe me shkeljen drastike të parimeve poltiike mbi të cilat mëton se funksionon.
Në anën tjetër, shenjat e afrimit të PS-së me AAK-në në Kosovë, ndërkaq, u dukën kur doli në sipërfaqe një ftesë që i ishte bërë Edi Ramës nga zyra e kryesisë së AAK-së, e cila duket se nuk kishte pritur që një ftesë e tillë të bëhej publike, edhe për shkak se nuk ishte e përgatitur që të prishte marrëveshjen me Sali Berishën.
Gjithsesi, duhet thënë se afrimi i së majtës shqiptare, ishte një proces që kishte ardhur duke u rritur me kalimin e kohës, dhe me krijimin e iluzioneve se PS mund të jetë forca e ardhshme që do t’i fitojë zgjedhjet në shtetin aktual shqiptar, kurse Edi Rama mund të jetë kryeministri i ardhshëm shqiptar. Me gjasë, përllogaritjet politike të AAK-së dhe të PDK-së, por edhe të PS-së, janë përllogaritje zgjedhore, përkatësisht aleancash zgjedhore, e të cilat, duket se kanë shumë interes për njëra-tjetrën. Dhe të gjitha këto forca të majta politike shqiptare, secila për hesap të tyre, janë të interesuar për rikthimin e një kolacioni të gjerë të së majtës, e cila në thelb ka solidaritetin ideologjik e politik, ashtu siç ishte gjatë viteve 1996, 1997, 1998, 1999, e më vonë, e që sollën: 1. anarki në shtetin aktual shqiptar, e që përveç humbjes së jetës së mijëra qytetarëve shqiptarë, solli edhe përmbysjen e pushtetit me dhunë; instalimin e një pushteti që erdhi si pasojë e kësaj anarkie me PS-në shumicë qeverisëse; 2. largimin për vite të tëra të proceseve integrative evropiane, pasi që siç dihet në vitin 1996, shteti aktual shqiptar ishte në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asociimit me BE-në; 3. instalimin e një linje politike kundër-rugovë dhe kundër interesave kombëtare shqiptare, në krye me Hashim Thaçin, e të cilën linjë e kam quajtur linja e Tiranës/Kretës, për shkak se u bë publike pas takimit të Nanos me Milosheviqin në Kretë, gjatë një takimi ballkanik atje; 4. bashkëveprimin kriminal të të gjithë së majtës shqiptare në cenimin e interesave kombëtare shqiptare, në krimin politik dhe në tërë plojën kundërkombëtare gjatë vitve të lartëpërmendura, e të cilat i kam denoncuar vazhdimisht, derisa nuk mu imponua bllokimi në ushtrimin e profesionit të analistit politik dhe të gazetarit hulumtues.
Në këtë kontekst, duhet thënë se vizita e Edi Ramës në Kosovë, e cila motiv kishte hapjen e një ekzpozite flamujsh, mund të jetë vetëm një hap konkret drejt ribashkimit të plotë të së majtës shqiptare me trashëgimi marksist-leniniste të shokut Enver Hoxha, me qëllime afërsisht të ngjashme me motivet që çuan në bashkimin e kësaj së majte vite më parë: risjelljen e së majtës në pushtet, sidomos në shtetin aktual shqiptar; pengimi i proceseve inegrative evropiane, dhe; vazhdimi i realizimit të interesave serbe dhe përgjithësisht kundërkombëtare që e majta ka realizuar vazhdimisht dhe historikisht.
Për shkak të ndikimit të madh që dy pjesët e kombit shqiptar kanë në zgjedhjet që mbahen në to, duhet thënë se e majta e Tiranës, në krye me Edi Ramën ka shumë nevojë për një imazh patriotizmi nga Kosova, për të përmirësuar sadopak përshtypjen sidomos te pjesa veriore e zgjedhësve shqiptarë, një pjesë e të cilëve kanë zbritur edhe në Tiranë dhe në Durrës, si dhe mbështetje tjetër që i duhet nga kjo pjesë e kombit shqiptar. Me një aleancë me dy parti poltike që veten e quajnë pasuese të UÇK-së, Edi Rama ndoshta pret vota patriotike për të dhe për partinë që drejton, e që duhet për të mposhtur imazhin e krijuar për Sali Berishën pas hapjes së autostradës Durrës – Morinë dhe në vazhdim, por edhe për shkak të disponimit proberishian që kanë shqiptarët e Kosovës. Natyrsisht se edhe PDK e AAK, duket se kanë nevojë për mbështetjen e nesërme që mund të kenë nga PS dhe Edi Rama, nëse do të jenë në pushtet.
Përfundimisht duhet thënë se me afrimin e zgjedhjeve në shtetin aktual, mund të jemi dëshmitarë të zhvillimeve interesante të së majtës shqiptare në funksion të mbështetjes së ndërsjellë për të ardhur apo për të mbajtur pushtet, e që vizita e e Edi Ramës në Kosovë, mund të jetë vetëm parathënia e këtyre zhvillimeve...

No comments: